ora 10.30, EU info centre

REVATO – Forum

Krijimi i Shoqatës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës (SHMMK)

Një grup qytetarësh, në kryeqytet iniciuan nismën për krijimin e Shoqatës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës-SHMMK. Nisma u ndërmor nga një forum i hapur publik, i organizuar nga Organizata për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës –GCDO, me pjesëmarrjen e qytetarëve, pronarëve dhe përdoruesve të shtëpive e objekteve të tjera të shpallura monumente kulture, në zonën historike të Gjirokastrës, dhe Beratit, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, etj.

Pjesëmarrësit diskutuan për gjendjen e regjistrimit ligjor të pronave Monument Kulture në Gjirokastër e Berat, ku nevojitet një përpjekje serioze, e koordinuar e partneritetit shtet – privat – komunitet, për mbrojtjen dhe rijetëzimin e rreth 1000 monumenteve të kulturës.

 Krijimi i një shoqate me pronarët e shtëpive Monument Kulture (MK) në dy qytete shqiptare të UNESCO-s, Berat dhe Gjirokastër, është një nga objektivat e projektit REVATO, të financuar nga Bashkimi Europian. REVATO – Rijetëzimi i Qyteteve Historike të Beratit dhe Gjirokastrës dhe Shmangia i Mospajtimeve Penguese, që synon që të lehtësojë regjistrimin e ndërtimeve monument kulture, duke i futur ato në tregun e restaurimit dhe rijetëzimit të pasurive të paluajtshme.

 Të pranishmëve iu bënë të njohura rezultatet e deritanishme të studimit lidhur me gjendjen e pronësisë së banesave në Gjirokastër dhe Berat. Gjatë muajve të kaluar është realizuar një anketim nga REVATO në terren ku ka rezultuar se në qytetin e Gjirokastrës vetëm rreth 1/4 e pronarëve kanë regjistruar shtëpitë monument kulture. Rreth 50 % të pronarëve Monument Kulture, kanë deklaruar se kanë të paktën një dokument që ndihmon regjistrimin e pronësinë së tyre, dhe 1/4 nuk kanë asnjë dokument.

Ndërsa të dhënat për qytetin e Beratit tregojnë se vetëm 40 % të shtëpive monument kulture janë të regjistruara. Numri i shtëpive MK, të paregjistruara shkon në 297, nga 499 që është totali i shtëpive MK që ka ky qytet.

 Regjistrimi i pronësisë është një problem që vështirëson restaurimin, rijetëzimin, investimet, dhe vetë zhvillimin e qytetit historik të Gjirokastrës dhe Beratit. “Pronësitë monument kulture janë një aset jo vetëm për komunitetin vendas, por edhe një aset i madh kombëtar që për shkak të mungesës së regjistrimit mbeten jashtë sferës së investimeve, prandaj përmisimi i gjendjes në këtë drejtim ështe një nga objektivat kryesore të REVATO-s, tha koordinatori i projektit, Sadi Petrela, duke shtuar se: “ky proces nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen aktive të vetë qytetarëve. Është në interesin e tyre që pronat që ata kanë monument kulture, të regjistrohen si pasuri e patundshme sipas kërkesave të ligjit”.

Forumi mblodhi në kryeqytet grupin nismëtar nga qytetet Berat, Gjirokastër, dhe Tiranë e miratoi dokumentet kryesore të shoqatës. Ky forum vjen pas atij të Beratit e Gjirokastrës që u zhvilluan javën e kaluar. Takimi përfundimtar që u zhvillua në Tiranë, themelon krijimin e Shoqatës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës. Qëllimi i organizatës është përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të pronarëve (MK), lehtësimi i regjistrimit të pronave të tyre, duke dhënë një kontribut për ruajtjen dhe rijetëzimin e trashëgimisë kulturore dhe futjen e tyre në tregun e pasurive të patundshme.

 

 

VIDEO

You need Flash player 6+ and JavaScript enabled to view this video.